Objekti i Institutit Bujqësor në “Ulpianë” të Prishtinës sërish është bërë çështje diskutimi mes ministrit të Bujqësisë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka pasur selinë në këtë objekt prej shumë vjetësh.
Me disa fotografi nga hapësira, Peci ka shkruar të premten: “I rikthyen mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit; Ministrisë së Bujqësisë”. Kjo ka nxitur reagimin e menjëhershëm të AAK-së, e cila ka thënë se këto deklarata të Pecit janë pjesë e “manipulimit ordiner të tij për të krijuar përshtypjen sikur ato paskan qenë të uzurpuara nga dikush”.
Ministri Peci ka shkruar tutje se shpreson në zbatimin e vendimit të tij të 22 gushtit 2023. Asokohe, Peci pati vendosur që një numër biznesesh të largohen nga një objekt në “Ulpianë”, që sipas tij, i takon Institutit të Bujqësisë.
“Mbetem optimist se instancat e sistemit të drejtësisë do të marrin një vendim meritor që objekti i Ministrisë dhe hapësirat për rreth saj të jenë në shfrytëzim dhe shërbim për titullarin dhe njëherit të mundësohet zbatimi i vendimit tim si Ministër, i marrë me datë 22.08.2023”, ka shkruar Peci në Facebook.
AAK-ja në reagimin që ka bërë ka thënë se ka kontratë me Ministrinë për një pjesë të objektit dhe se paguan qira mujore. Sipas kësaj partie, Peci po e ka për qëllim ta luftojë politikisht Aleancën.
AAK-ja ka shtuar se ka pranuar të paguajë qira mbi vlerën e tregut për objektin që e ka rinovuar vetë. Ka theksuar se në të nuk përfshihet bodrumi e kati i dytë.
“Nuk është hera e parë që Peci bënë manipulime të kësaj natyre me qëllim që ta luftojë politikisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, sepse edhe ashtu i kanë mbetur pak ditë aty ku është… Aleanca është në shtëpi të vet dhe aty do të qëndrojë pavarësisht a i pëlqen dikujt apo jo”, ka thënë AAK-ja ndërsa ka publikuar disa fotografi të hapësirës të cilën Peci e ka përmendur si dhe kopjen e kontratës së qirasë për shfrytëzim.