Pas më shumë se 24 orë kërkimesh, nga ujërat e lumit Lepenc nxirret vetura me tre trupa të pajetë të familjes Pacolli nga Kosova, e cila pas aksidentit të së shtunës kishte rënë në këtë lum, njofton KlanM.
Siç raportoi ekipi i Klan Macedonia nga vendngjarja, tre trupat e pajetë ishin gjetur në pjesën e pasme të veturës, që do të thotë se kishin bërë përpjekje të dalin nga makina, por fatkeqësisht nuk ia kishin dalë.
Është prononcuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“MPB njofton opinionin se nga ana e zyrtarëve policor të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” në lumin Lepenc janë gjetur tre trupa të pajetë, të cilët ishin në kërkim pas aksidentit të djeshëm në rrugën Shkup – Bllacë. Është gjetur edhe vetura BMV.
Operacioni i kërkimit, siç njofton KlanM, nisi të shtunën pasdite, ku krahas ekipeve të shpëtimit nga Maqedonia e Veriut dhe vullnetarëve nga fshatrat përreth, në aksionin mirë të koordinuar kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës.
Në vendngjarje, siç njofton KlanM, ka dalë edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, të shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi, por edhe zyrtarë të tjerë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Pas aksidentit të së shtunës, siç njofton KlanM, një pjesëtar i familjes Pacolli, për të cilin thuhet se është një 20-vjeçar, kishte arritur të shpëtojë dhe ishte dërguar në Spitalin “8 Shtatori” të Shkupit.
Në këtë incident ka marrë pjesë edhe një automjet Volksvagen Touran me targa të Shkupit.
64 vjeçari nga Shkupi, siç njofton KlanM, me urdhër të Prokurorit Publik është privuar nga liria nën dyshimin si pjesëmarrës në aksidentin që rezultoi me tre viktima.
Për rastin tragjik, përmes Facebookut, është prononcuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai, siç njofton KlanM, shpreh ngushëllime për familjen Pacolli, kurse të mbijetuarit të aksidentit i uron shërim të shpejtë, siç thotë, edhe forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllait të tij.
“Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar” shkruan Kurti në Facebook.
Operacioni i kërkimit, siç citon KlanM autoritetet e Maqedonisë së Veriut, është zhvilluar në kushte jashtëzakonisht të vështira, për shkak se lumi Lepenc është i thellë, i shpejtë dhe me vete ka bartur gjëra që paraqisnin rrezik për zhytësit, raporton KlanMacedonia