Nxehet debati mes Vjosa Osmanit dhe Kujtim Shalës, “S’ke të drejtë”, “Unë jam sherifi këtu”

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është nxehur debati mes kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe deputetit të LDK-së, Kujtim Shala. I gjithë debati është nxitur pas ndërhyrjes që Osmani ka bërë në fjalën e ministres Meliza Haradinaj – Stublla e e cila po kritikonte qeverisjen e Albin Kurtit.

Shala i ka thënë Osmanit se nuk mund të ndërhyjë dhe të bëjë komente të fjalimeve që bëhen në Kuvend dhe që s’i lejohen pozicionimet politike. 

“Provat që ju mundoheni t’i paraqisni kundër Qeverisë janë të mjaftueshme. Por ju s’mund të bëni komente politike, sepse nuk e lejon procedura”, ka thënë Shala.

Derisa Osmani ka qenë shumë e ashpër duke i thënë Shalës se s’janë mësuar me kryetar të Kuvendit që e respekton rregulloren e Kuvendit. 

Ajo ka thënë se deputetët e LDK-së janë mësuar me kryetar Kuvendi të cilët i kanë quajtur edhe pjesë bandash.

“Ju jeni mësuar me kryetar të Kuvendeve që i keni quajtur pjesë të bandave, dhe tashmë s’mund të duroni një kryetare që respekton rregulloren. Ju duhet të mësoheni sepse siç thonë amerikanët “There is a new Sherif in town. Duhet ta harroni që unë drejtoj seanca vetëm në mënyrë teknike”, ka thënë ajo.