Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vendosur për vazhdimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku dhe dy të tjerëve.
Kështu tha për Telegrafin zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nusret Hoxha.
“Seanca është mbajtur dje, paraburgimi u është vazhduar edhe për dy muaj”, tha Hoxha.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte propozuar që t’i vazhdohet paraburgimi ish deputetit, Nuredin Lushtakut dhe dy të tjerëve.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha për Telegrafin se prokurorja e rastit kishte propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre persona që gjenden në paraburgim.
“Prokurorja ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre persona që gjenden në paraburgim”, ka thënë për Telegrafin, Preteni.
Ndryshe, më 4 korrik, Gjykata Themelore në Mitrovicë ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Lushtakut dhe dy familjarëve të tij.
Të njëjtit dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 2 korrik në Skenderaj, ku dy policë u plagosën pas një përleshjeje me disa persona, ku të përfshirë dyshohet se janë Lushtaku dhe familjarët e tij.
Sipas, prokurores së rastit, Fetije Bajrami, e gjithë ngjarja ka nisur pasi që djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy zyrtarë policorë ia kishin shqiptuar një gjobë për shkelje trafiku. Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur.
Si kishte ndodhur incidenti?
I biri i Nuredin Lushtakut, ishte ndaluar në komunikacion, të cilit i ishte shqiptuar një tiketë.
Pas kësaj ai kishte telefonuar babin e tij Nuredinin, i cili pas pak kohe kishte arritur në vendin e ngjarjes me automjetin e tij.
Ai ishte i shoqëruar me dy vëllezërit e tij, Faton dhe Arif Lushtakun. Të njëjtit kishin filluar të fjalosen me policin Enver Berisha.
Pas kësaj, tre të pandehurit janë nisur në drejtim të policëve duke i fyer me fjalë. Në këtë rast, i dëmtuari Enver Berisha, ka nxjerrë armën dhe ka shtënë dy herë në ajër me qëllim që të pandehurit të zbrapsen.
Mirëpo, ata ishin nisur që ta sulmonin të dëmutarin Enver Berishaj, i cili për të parandaluar sulmin nga ana e të pandehurve, kishte shtënë me armë dy herë në ajër. Atëherë të pandehurit e kishin goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berishajn, me kontakt të armëve të shkurtëra, të cilat i mbanin në duar.
Në atë moment, i dëmtuari Enver Berishaj nga goditjet kishte rënë në tokë, ku ishte dëgjuar edhe një e shtënë.
Në mes të tyre ishte edhe i dëmtuari polici Mergim Geci, i cili kishte ndërhyrë në mes të dëmtuarit dhe të të pandehurve.
I njëjti ishte goditur nga një predhë.
Pas goditjes, ai ishte dëgjuar teksa bërtiste me zë të lartë.
“Po më dhemb këmba”, ishte dëgjuar të thoshte Geci.
Pas kësaj, Fatoni ia rrëmben nga dora, armën policit të dëmtuarit Enver Berishaj.
Polici i cili ishte edhe dëshmitar Xhemë Murtezaj, kishte tentuar t’ia largojë armën të pandehurit Nuredinit.
Kjo pasi që i dëmtuari Enveri ishte shtrirë në tokë dhe mbi trupin e tij ishin dy të pandehurit, Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku.
Xhemë Murtezaj, kishte nxjerrë një sprej duke e hedhur në drejtim të të pandehurve.
Ai deklaron se e ka dëgjuar të shtënën e armës gjatë përleshjes së tre të pandehurve më të dëmtuarin dhe ka dëgjuar të dëmtuarin, Mërgimin, duke treguar se është plagosur.
Në mes të të pandehurve dhe policit Enver, kishte ndërhyrë edhe polici Bajram Behrami, me qëllim që t’i ndajë të pandehurit nga i dëmtuari.
Aty Behrami kishte dëgjuar të pandehurin duke thënë se “ia morëm armën”, dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa armën e policit Enver Berisha, i pandehuri Nuredin Lushtaku ia kishte dërguar Bekim Jasharit, i cili më pas e kishte dërguar në polici.
Gjatë këtij sulmi, i dëmtuari Enver Berisha, ka pësuar dëmtime trupore.
Siç deklaron ky i dëmtuar, i njëjti ka thënë se ka shtatë qepje në kokë, ndërsa i dëmtuari Mergim Geci është plagosur në këmbë nga shkrepja e armës (tani për tani e panjohur).
Të pandehurit me këtë rast kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje sulm ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 6.
Nga shkresat e lëndës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Faton Lushtaku, Nuredin Lushtaku dhe Arif Lushtaku, secili veç e veç, prej datës së pacaktuar e tutje, kanë mbajtur në pronësi armë në shkelje mbi ligjin e zbatueshëm mbi armët.
Të pandehurit i kanë mbajtur armët dhe i kanë përdorur duke e goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, ashtu siç është cekur në pikën 1 të dispozitivit, dhe me këtë, të pandehurit kanë kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i armës”.
Po ashtu, i pandehuri Arif Lushtaku, deri më tre korrik të vitit 2022, ka mbajtur në pronësim armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm të Kosovës dhe pistoletën Miami lod 92f me dy fishekë të kalibrit 9x9mm dhe një karikator të cilën i pandehuri e ka dorëzuar në polici.
Arma është konfiskuar dhe me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale “mbajtje e paautorizuar e armëve”.
Ndërkaq, në shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Faton Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku deri më dy korrik të vitit 2022 në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, të kalibrit të panjohur tani për tani duke e goditur në kokë me kontakt të armës policin Enver Berishan me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore dhe me këtë kanë kryer veprën penale “posedim i armës apo mjet i rrezikshëm”.
Gjithashtu, nga shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar, se Faton Lushtaku me këtë datë ka përdorur armën në shkelje të ligjit të zbatueshëm për armët.