Numri i të infektuarve dhe hospitalizuarve nga COVID-19 në rritje

Numri total i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 59 mijë e 304 raste. Ndonëse janë marrë masa mbrojtëse ndaj këtij virusi, gjatë këtij muaji nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe spitalet rajonale, është deklaruar se është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim shëndetësorë për shkak të infektimit me koronavirus, raporton Gazeta Express.

59 mijë e 304 persona janë infektuar me COVID-19 deri tani në Kosovë, derisa 1 mijë e 482 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi.

Vetëm nga dita e hënë (25 janar) deri sot në vend janë regjistruar 1 mijë e 216 raste të reja të infektuara.

Gjatë këtij muaji, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se është raportuar një numër më i madh i rasteve pozitive dhe viktimave si pasojë e COVID-19.

Një gjë të tillë, e kanë konfirmuar edhe nga spitalet rajonale në vend.

Në raportin që Express ka siguruar, bëhet e ditur se 548 pacientë janë të shtrirë në 5 klinikat ku po trajtohen pacientët me COVID-19 në QKUK dhe në spitalet rajonale.

351 nga këta pacientë janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, derisa 5 janë në respiratorë, 20 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 377 me oksigjen.

Në 5 klinikat e QKUK’së janë të shtrirë 219 pacientë, nga ta 2 në respiratorë, 6 në ventilim mekanik joinvaziv, 156 me oksigjen.

Ndërsa, në spitalet rajonale janë të shtrirë 329 pacientë, nga të cilët në respiratorë janë 3, në ventilim mekanik joinvaziv 14 dhe me oksigjen 221.

195 nga këta pacientë janë të konfirmuar pozitiv me koronavirus, 75 janë të konfirmuar negativ dhe 57 të pakonfirmuar.

Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 118 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 56 pacientë, në Spitalin e Pejës 72 pacientë, në Spitalin e Gjilanit 27, në Spitalin e Vushtrrisë 9, në Spitalin e Mitrovicës 10 dhe në Spitalin e Ferizajit 37.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka treguar për Express se kohëve të fundit në këtë komunë është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësorë si pasojë e koronavirusit.

Ai ka thënë se 168 raste janë aktive me koronavirus në Gjilan, derisa 22 pacientë të infektuar janë të hospitalizuar.

“Është një rritje e numrit të pacientëve me COVID-19. Gjendja është e menaxhueshme. 168 raste me këtë virus janë aktive, ndërsa 22 persona të infektuar janë të hospitalizuar”, ka thënë ai.

Ismajli ka thënë se përkundër rritjes së numrit të pacientëve, gjendja po menaxhohet mirë.

Ndërsa, ai ka përmendur edhe inaugurimin e laboratorit për kryerjen e testeve RT-PCR, me ç’rast ka thënë se janë duke pritur rezultatet e 90 mostrave.

Numër më të madh të të hospitalizuarve kanë spitalet tjera në vend.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, ka thënë për Express se 56 pacientë janë të shtrirë në këtë spital.

Ai ka treguar se 31 nga këta pacientë janë të infektuar me COVID-19, derisa 1 është në ventilim mekanik joinvaziv, 1 në respiratorë dhe 28 me oksigjen.

“Janë 56 pacientë. Në respiratorë është 1, në ventilim mekanik joinvaziv 1, me oksigjen janë 28. Të konfirmuar pozitiv me COVID-19 janë 31, negativ janë 15 dhe të pakonfirmuar 10”, ka bërë të ditur ai.

Shala ka treguar se kanë 125 shtretër për COVID, ndërsa 56 prej tyre janë të zënë.

Se ka rritje të pacientëve, e kanë konfirmuar edhe nga spitalet tjera rajonale, si dhe nga Klinika Infektive.

Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë ditë më parë se është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve të infektuara.

Ndërsa, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është thënë dje se mjekët janë të stërngarkuar në spitale duke luftuar kundër koronavirusit dhe se numri i rasteve të infektuara po vazhdon të jetë i lartë.

“Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale epidemiologjike me COVID -19, këtë muaj është raportuar numër më i madh të rasteve pozitive dhe vdekjeve. Mjekët të stërngakuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave”, është thënë nga ky institut.