Numri i futbollistëve shqiptarë në Serie A mund të rritet në 20

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” ka raportuar të mërkurën se mesfushori Kastriot Imeri mund të përfundojë në kampionatin e Italisë, Serie A.

Sipas zviceranëve, mesfushori i talentuar shqiptar që përfaqëson Zvicrën po kërkohet me ngulm nga skuadra e Genoas. Por Genoa nuk ka shprehur interesim vetëm për Imerin. Interesim të madh ka shprehur edhe për sulmuesin e Vikingut të Norvegjisë, Veton Berisha. Vetoni është vëllai i vogël i reprezentuesit të Kosovës, Valon Berisha, që në të kaluarën ka luajtur për Lazion e Italisë. E nëse dy futbollistët do të transferohen te Genoa gjatë këtij afati kalimtar të janarit, numri i futbollistëve shqiptarë mund të rritet në 20.

“Trajnerët Davide Ballardini dhe Andriy Shevchenko janë shkarkuar nga skuadra. Te skuadra e Genoas luajnë edhe Valon Behrami dhe Silvan Hefti, të cilët u blenë nga kampionati zviceran për 5 milionë euro. Çmim të ngjashëm mendohet të ketë edhe Imeri”, shkruan gazeta zvicerane të mërkurën.

Klubi me më së shumti shqiptarë në radhët e veta në Serie A, është Empoli. Pjesë e Empolit janë Samir Ujkani, Ardian Ismajli, Kristian Asllani dhe Nedim Bajrami. Edhe Lazio ka katër futbollistë nëse mbetet edhe Riza Durmishi. Durmishi në vitet e fundit është huazuar te disa klube, por ai vazhdon të jetë i regjistruar si lojtar i Lazios. Te Lazio janë edhe Thomas Strakosha, Elseid Hysaj dhe Vedat Muriqi. Ky i fundit mund të largohet nga skuadra italiane, pasi nuk ka bindur me paraqitjet e tij. Te Torino janë dy futbollistët shqiptarë, Etrit Berisha dhe Mërgim Vojvoda, ndërsa nga një futbollist kanë edhe Napoli, Roma, Atalanta, Genoa, Spezia, Sassuolo e Salernitana. Te Napoli aktivizohet Amir Rrahmani. Në Romë është Marash Kumbulla, ndërsa të mërkurën është raportuar se edhe Granit Xhaka ka kërkuar kalimin nga Arsenali te skuadra e Romës. Te skuadra e Atalantas është Berat Gjimshiti, derisa Valon Behrami luan për Genoan. Pjesë e Spezias është Rey Manaj, Frederic Veseli te Salernitana derisa Asan Mata te Sassuolo. Ka raportime edhe për disa futbollistë shqiptarë që mund të lëvizin te klubet italiane gjatë afatit kalimtar të janarit. Së fundi për Veton Berishën është thënë se nuk ka garanci nëse do të mbetet pjesë e Vikingut pas këmbëngulësisë së Genoas.
“Veton Berisha ka nisur përgatitjet me Vikingun për sezonin e ri, por nuk mund të garantohet që ai do të jetë gjatë pjesë e klubit pas insistimit të Genoas”, shkroi ditë më parë gazeta e njohur norvegjeze “Aftenbladet”.

Në fakt, edhe në të kaluarën ka pasur numër të madh të futbollistëve shqiptarë. Madje kanë pasur edhe ndikim të madh në klubet italiane.