Procesi i numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 ka hyrë në fazën përfundimtare, me rreth 63% të vendvotimeve të numëruara në të gjithë vendin. Sipas të rezultateve të publikuara nga “Drenica Sot”, lista e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka sjellë disa surpriza në renditjen e më të votuarve.
Në krye të listës ndodhet kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza me 84,417 vota. Pas tij, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka marrë 48,090 vota deri më tash, duke u renditur i dyti brenda partisë.
Vendi e tretë e zë Uran Ismaili, i cili deri më tani ka siguruar 20,490 vota, ndërsa Vlora Çitaku dhe Sala Jashari pasojnë me diferenca të vogla, duke marrë përkatësisht 19,690 dhe 19,634 vota.
Lista e dhjetë kandidatëve më të votuar të PDK-së përmbyllet me Përparim Grudën (16,883 vota), Jakup Nurën (16,487), Enver Hoxhajn (16,087), Ganimete Musliun (15,511) dhe Mergim Lushtakun (14,663).
Pas tyre, mbi 10 mijë herë janë votuar deri me tash edhe Rrahman Rama, Aran Behrami, Elmi Reçica, Ferat Shala, Rashit Qalaj, Fadil Demaku, Xhevahir Geci, Nait Hasani, Altin Krasniqi, Blerta Deliu Kodra, Ariana Musliu Shoshi, Petrit Hajdari dhe Abelard Tahiri.
Megjithatë, vlen të theksohet se procesi i numërimit vazhdon, dhe mbetet për t’u parë nëse këto renditje do të ndryshojnë pas numërimit të pjesës së mbetur të vendvotimeve.
Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit duke marrë 22.05 për qind të votave apo 184 mijë e 499.
PDK pritet të ketë rreth 25 deputetë në Kuvendin e Kosovës, sipas këtyre rezultateve.
Vetëvendosje që doli e para me rreth 40 për qind, si parti e parë i takon të formojë institucionet, si rregull ligjor e kushtetues. Megjithatë, Bedri Hamza e ka bërë të qartë se nëse partia e Albin Kurtit dështon ta ndërtojë qeverinë, PDK e merr përsipër këtë gjë.
Procesi i numërimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri më 16 shkurt, ora 16:00, janë numëruar 63.60% e vendvotimeve nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave nga Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), deri më tani janë përpunuar rezultatet nga 1,611 vendvotime nga gjithsej 2,533.
Sipas KQZ-së, procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 14 komuna: Deçan, Kamenicë, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Ndërkohë, më 16 shkurt, në orën 16:00, ka filluar numërimi edhe në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Numërimi i votave po vazhdon në 24 Qendra Komunale të Numërimit në mbarë vendin, bëhet e ditur në njoftim.