Nuk shkojnë liderët: Opozita në takim me Konjufcën shkon me nënkryetarë

Partitë opozitare sot do t`i përgjigjet pozitivisht ftesës së ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për takim me liderët e partive politike, ku do të diskutohet për përgatitjen e seancës konstitutive të legjislaturë së nëntë.

Megjithëse ftesa ka qenë ka qenë për liderët e partive politike, PDK, LDK dhe AAK kanë vendosur që në këtë takim të mos shkojnë Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.

Gazeta Nacionale ka mësuar se partitë opozitare në këtë takim do të përfaqësohet nga një nivel më i ulët.

Burimet e gazetës brenda PDK-së kanë bërë me dije se kjo parti në takim me Konjufcën do të përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Uran Ismaili.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë takim do të përfaqësohet prej njërit nga nënkryetarët.

Kurse, zyrtari i AAK-së që do të shkoj në këtë takim do të ketë një pozitë tjetër në parti.

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ka thënë për gazetën Nacionale se në këtë takim AAK-ja do të përfaqësohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Muharrem Nitaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive për legjislaturën e nëntë.

Përgatitjet për këtë seance, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, i takojnë kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës. Ky i fundit, së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë.

LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).