Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë të kësaj partie mbetet ajo që është dorëzuar që nga fillimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ai ka thënë se ai është bartës i listës dhe si i tillë do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën.
Kurti tutje ka kujtuar një takim të ish-presidentit Hashim Thaçi me ish të dërguarin e SHBA-së për dialogun me Serbinë, Richard Grenell duke shtuar se institucionet duhet të “rifreskohen” në rrethana të reja.
“Ne kemi dorëzuar listën tonë siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti pat qenë ish-ambasadori Grenell për një darkë me ish-presidentin, por ai është viti i kaluar dhe mendoj që institucionet e shtetit duhet të updatohen në rrethana të reja, ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit të cilat kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve. Unë jam bartës i listës i cili i respekton dhe e përfill me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet që mbrojnë të drejtat e të gjithë neve”, ka thënë ai.
Këto deklarata Kurti i ka bërë pas homazheve te ish-presidenti Ibrahim Rugova.