Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se 13 raste të dyshuara për virusin COVID 19, të testuara të shtunën në mbrëmje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, kanë rezultuar negative. Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve selektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në orët e vona të mbrëmjes të datës 14.03.2020 janë testuar edhe 13 mostra dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
“Nga data 08.02.2020 deri me 15.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 220 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej pesë prej tyre kanë rezultuar pozitive”.
“Pesë rastet pozitive për virusin SARS-CoV-2 janë: tri raste nga Stublla e Vitisë, (dy prej tyre kontakte të rastit të parë) i ardhur nga Bergamo e Italisë, njëri rast shtetase italiane me vendqëndrim në Leskoc të Klinës si dhe një rast kosovare e ardhur nga Italia-Brescia me vendqëndrim në Bubavec-Malishevë. Pra tri raste janë të gjinisë femërore të moshës 20, 37, 39 vjeç dhe dy prej tyre të gjinisë mashkullore 77 dhe 42 vjeç”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thotë se po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetë izolim shtëpiak.
“Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 875 thirrje, ndërsa në 24 orët e fundit janë pranuar 452 thirrje telefonike”.
Më tej thuhet se ekipet e QRShP në rajonet përkatëse janë në terren dhe janë duke i kontaktuar kontaktet e kontakteve të rasteve pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetë-izolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetë-izolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma”.
Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve selektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.
Nga data 01.02.2020 deri me 15.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 7.326 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 479 udhëtarë, Merdare 3.328, Vërmicë 2.488, Jarinje 564, Dheu i Bardhë 109, Hani i Elezit 77, Kullë 224, Qafë Morinë 35, Bërnjak 11, Qafë Prush 8, Muçibabë 2 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.