Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në Kuvendin e Kosovës nuk ka kuorum për t’u ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare.
“Nuk ka kuorum pasi duhen 80 vota”, theksoi ajo.
Tri Projektligje për marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nuk kanë marrë votat e mjaftueshme në seancën e kaluar, pasi që janë kundërshtuar nga LVV-ja, nuk janë hedhur në votim fare, pasi që në sallë kanë qenë më pak se 80 deputetë, sa duhen për miratim të tyre.
Në Kuvend s’pati kuorum për t’u votuar Projektligji nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurimin e ujit.
As për votimin e Projektligjit nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe as votimin e Projektligjit nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.
Ndërkohë që mospjesëmarrja në votim ka lënë pa miratuar në parim i Projektligjin për Peticione. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, nuk është hedhur në votim pasi që për të kaluar duhet shumicë e dyfishtë e cila nuk ka qenë prezentë në Kuvend.
Ndërsa më shumicë votash ka kaluar në parim Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
Kuvendi po vazhdon punimet me shqyrtimin e parë të Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës.
Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës, para deputetëve është arsyetuar nga ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Ai ka thënë se Kodi Civil do të jetë i strukturuar në 5 libra. Libri i parë “Pjesa e Përgjithshme, libri i dytë “Detyrimet”, libri i tretë “Pronësia dhe të drejtat sendore”, libri i katërt “Familja” dhe libri i pestë “Trashëgimia”.