Me vetëm 42 deputetë në sallë, nuk është hedhur në votim raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Ky raport u konsiderua i pranueshëm nga të gjitha subjektet politike, ndonëse deputetë të VV-së patën kritika për ZRRE-në si institucion si dhe çështjen e reduktimeve të energjisë elektrike.
Endrit Shala, nga NISMA, ka thën se Komisioni ka rekomanduar miratimin e raportit vjetor të ZRRE-së.
“Duke u bazuar në nenin 10, paragrafi 1 të ligjit për rregullatorin e energjisë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së i dërgon Kuvendit raportin vjetor jo më vonë se tre muaj pas përfundimit të vitit kalendarik. Komisioni e ka shqyrtuar raportin vjetor dhe ka konkluduar se është në pajtim me nenin 10 dhe ka nxjerrë rekomandimin që ta miratojë raportin vjetor”, ka thënë Shala.
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka pasur kritika për miratimin e tarifave nxitëse nga ky institucion.
Ai ka thënë se Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrtoi raportin financiar të ZRRE-së dhe vlerësoi se i njëjti përmbush obligimet ligjore dhe i rekomandon Kuvendit miratimin e tij.
“Kurse në emër të grupit parlamentar konsideroj se ky raport përmban të dhëna për punën dhe aspektin financiar. Unë dëshiroj të flas për punën e saj e sidomos kur dihet se bëhet fjalë për rreth 300 milion euro të këtij tregu të cilat i faturohen qytetarëve dhe duhet t’i paguajnë. Gjatë vitit të kaluar jemi dëshmitar të një vendimi skandaloz të këtij institucioni, pra vendimi për miratimin e tarifave nxitëse për projektet solare, vendim i marrë kundërligjshëm. Ky vendim u mor një ditë pas tërmetit në Shqipëri dhe favorizonte bizneset që lidheshin me politikën”, ka thënë Murati.
Ai tutje ka shtuar se kanë dërguar edhe padi e cila ka ndikuar në pezullimin e atij vendimi i cili është cilësuar edhe ilegal.
“Jemi po ashtu dëshmitar kur brenda ditës thirret mbledhja, një orë më herët thirret mbledhja, një orë më herët deklarohet nga ministri se kompania e caktuar nuk ka leje mjedisore kurse një orë më pas del se ka pasur dhe se është thirr mbledhja. Pra, po bëhet fjalë për një institucion që vihet në shërbim të bizneseve. Jemi dëshmitarë edhe për reduktimet e ashpra të energjisë elektrike”, ka thënë Murati
Kurse deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu e ka mbështetur raportin, porse ka shprehur shqetësim për humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë.
“Nga raporti i ZRRE-së del se rregullatori përmes formave të ndryshme të përkrahjes i kushton kujdes të veçantë projekteve të burimeve të ripërtërishme të energjisë. Duke parë trendet për energji të ripërtërishme konsiderojmë se orientimi në turbina me erë është mjaft i arsyeshëm. Humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë vazhdojnë të jenë shumë të larta. ZRRE-ja duhet të angazhohet që të zvogëlojë humbjet teknike dhe komerciale pasi që kostoja mbulohet nga konsumatorët që janë pagues të rregullt të energjisë. Ne si LDK e përkrahim këtë raport”, ka thënë Rekaliu.
Edhe AAK-ja e PDK-ja e mbështesin raportin e ZRRE-së.