Pas 13 ditësh qëndrimi në veri, Njësia Speciale e Kosovës tashmë ka filluar të tërhiqet nga vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Tërheqja e Njësisë Speciale vjen pas largimit të barrikadave nga serbët dhe lirimit të rrugëve për qarkullim, transmeton Telegrafi.
Situata është e qetë dhe deri tani nuk raportohet për asnjë incident.
Serbët lokalë tash e dy javë kishin bllokuar rrugët me kamionë, duke pamundësuar kështu lëvizjen e automjeteve, e duke detyruar qytetarët të kalojnë në këmbë kufirin.
Megjithatë, rrugët pritet të lirohen sot, sipas marrëveshjes që është arritur para dy ditësh në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Marrëveshja parasheh që serbët të largojnë bllokadat nga rrugët, e që në vendkalimet kufitare të vendosen ushtarët e KFOR-it, po ashtu nga marrëveshje është paraparë që të largohet edhe Njësia Speciale.