Një përkthyese ‘shastisi’ një popull: Çka tha në të vërtetë Macroni për vizat?

Të gjithëve na habiti ‘qëndrimi i Francës’. Si mund të sillej kaq indiferente ndaj lirisë së një populli. Por, del se ai nuk ishte tamam qëndrimi i Francës. Del se presidenti i Francës kishte thënë në fakt, diçka tjetër. Qysh u shpreh Macroni në konferencë me Edi Ramën?

Të gjithë menduan se Franca e kishte pezulluar liberalizimin e vizave për kosovarët në Zonën Schengen. Se si mund ta bënte një gjë të tillë Franca nuk dihej. Por, ajo që u mor vesh si dije publike ishte se… presidenti i Francës e kishte përmendur pezullimin.

Si ishte ky përkthim fillimisht?

Mediumi shqiptar Lapsi i kishte vënë këtë titull artikullit: “Macron: Vuçiq të dënojë sulmin në Banjskë. Kam pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën” Ngjashëm raportuan edhe shumë e shumë media të ndryshme.

Por, del se përkthimi ishte më ndryshe. Përkthyesja – megjithëse nuk ka përkthyer si duhet gjithë atë që ka thënë presidenti francez – i tha këto fjalë:

| “E them me shumë qartësi ne ju kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse bëhet respekti – ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë. Dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes për gjithë zonën.”

Edhe më tej mbetet çështje interpretimi për shkak të përkthimit të fjalëpërfjalshëm. Megjithatë, nga kjo mund të nxirret kuptimi se Franca ka pezulluar liberalzimin e vizave për Kosovën.

Në ndihmë në këtë pikë vjen një përkthim nga Evropa e Lirë, ku citohet presidenti francez t’i ketë thënë këto fjalë:

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”,

Pra, kjo na thotë që Franca i ka hequr vizat dhe ka mbajtur fjalën e dhënë. Ndërkohë, nuk duket se këto fjalë të jenë madje as kërcënuese. Por, reagimet kundër Francës në Kosovë tashmë janë të shumta.

Çka tha tjetër për Kosovën?

Ai u shpreh se priste që palët – Kosova e Serbia – duhej ta respektonin planin franko-gjerman. Presidenti i Francës po ashtu kërkoi që të dënohej nga Vuçiqi prerazi ajo që kishte ndodhur më 24 shtator, pra agresioni e terrorizmi në Banjskë.

“Ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania e kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët. Mendoj që është përgjegjësia e z. Vuçiq që t’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit. Sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Dhe më pas, etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë. Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme. Pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe institucionet. Njohjen e Asociacionit të Komunave Serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe plotësisht dhe totalisht. Dhe pres që presidenti Vuçiq të jetë përgjegjës. Pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar.”