Një paciente me koronavirus në Infektivë është në gjendje të rëndë shëndetësore

Një 73-vjeçare nga Komuna e Pejës është në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e koronavirusit.

Ajo është në kujdes intensiv dhe ka rreth një muaj që është shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, në fillim për shkak të problemeve të tjera shëndetësore, raporton KOHA.

Doktorët thonë se ditët e fundit ka filluar t’i rëndohet gjendja.

Por, infektologu Sali Ahmeti tregon se nuk e dinë ende se si 73-vjeçarja është infektuar me koronavirus.

Përderisa në këtë klinikë janë 43 pacientë të shtrirë, 6 prej tyre janë me oksigjeno-terapi.

Sipas zyrtarëve të Klinikës Infektive, 4 nga 6 personat e shëruar në Kosovë, janë liruar këtë të mërkurë.

Kurse, gjatë ditës, me Covid-19 janë diagnostikuar edhe dy zyrtarë të Shërbimit Korrektues dhe të njëjtit janë liruar nga detyra për t’u vendosur në vetëkarantinë.

Ky institucion i ka bërë kërkesë IKSHPK–së për testimin e 48 të burgosurve të kësaj qendre.

Që nga rasti i parë pozitiv me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 100.