Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për të arrestuarin e katërt në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. I pandehuri, T.D. mbahet në paraburgim për shkak të dyshimit se ka kryer veprën “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ekzistojnë arsyet e bazuara për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi se T.D. ka kryer veprën penale dhe nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikojë te të dëmtuarit dhe e dëshmitarët, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M”, thuhet në njoftim.
Deri tash lidhur me rastin janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre edhe Naim Murseli, bashkëshorti i të ndjerës, i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e saj.