Një milion regjistrime në Bluesky mes largimeve nga X pas zgjedhjeve në SHBA

Platforma sociale, Bluesky, ka fituar edhe mbi një milion përdorues të ri për një javë, që kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale amerikane më 5 nëntor, teksa disa përdorues të X po kërkojnë një platformë alternative për të postuar mendimet e tyre dhe për të ndërvepruar me të tjerë në internet.

Bluesky tha më 13 nëntor se numri i përgjithshëm i përdoruesve të kësaj platforme arriti në 15 milionë, nga rreth 13 milionë sa kishte në fund të tetorit.

I krijuar nga ish-drejtuesi i Twitter, Jack Dorsey, Bluesky ishte një platformë e hapur vetëm për ata që kishin ftesa, por në shkurt platforma u hap për publikun e gjerë.

Kjo platformë i ngjan X-it të Elon Muskut, teksa përveç hapësirës për të gjetur përmbajtje, përdoruesit e saj edhe mund të dërgojnë mesazhe direkte dhe mund të shikojnë listën e sugjerimeve të njerëzve që mund të ndjekin.

Rritja e numrit të përdoruesve pas mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA nuk është diçka e re për Bluesky, pasi kjo platformë ka përfituar edhe më herët nga njerëzit që po largohen nga X.

Në gusht, platformës Bluesky iu shtuan 2.6 milionë përdorues, pasi X u ndalua në Brazil gjatë gushtit – 85 për qind e përdoruesve të rinj ishin nga Brazili, tha kompania. Po ashtu, 500.000 përdorues të rinj hapën llogari brenda një dite muajin e kaluar, kur X sinjalizoi se llogaritë e bllokuara do të mund të shohin postimet publike të përdoruesve.

Pavarësisht rritjes së Bluesky, X tha javën e kaluar se ka “dominuar diskutimin global për zgjedhjet amerikane” dhe kishte shënuar rekorde të reja. Platforma tha se ka pasur rritje të përdoruesve të rinj për 15.5 për qind, të cilët hapën llogari në ditën e zgjedhjeve, ndërkaq 942 milionë postime u bënë në mbarë botën, sipas X.

Bluesky ka folur për rivalitetin me X, përfshirë përmes një postimi në ditën e zgjedhjeve në SHBA të publikuar në X, që i referohej Muskut duke shikuar rezultatet e votimeve së bashku me presidentin e zgjedhur, Donald Trump.

“Mund t’iu garantojmë se asnjë anëtar i ekipit të Bluesky nuk do të ulet së bashku me një kandidat presidencial sonte dhe t’i japë atij qasje për të kontrolluar se çfarë ju shihni online”, tha Bluesky.

Në këtë platformë, përdoruesit e rinj – në mesin e tyre gazetarë, politikanë të majtë dhe personazhe të njohur – kanë publikuar ‘meme’ dhe kanë ndarë mendimet e tyre lidhur me këtë platformë, duke thënë se shpresojnë se do të mund ta përdorin atë si një hapësirë pa reklama dhe gjuhë të urrejtjes.

Disa prej tyre kanë thënë se Bluesky ua kujton fillimet e X, që atëbotë njihej si Twitter.