Një javë para zgjedhjes së kryetarit të ri të PDK-së, ende nuk është shpallur asnjë kandidaturë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), këtë javë më 3 korrik do të mbajë Konvetën ku do të zgjedh kryetarin e ri.

Edhe pse kanë mbetur edhe pesë ditë deri në afatin e paraparë për paraqitje të kandidaturave, deri më tani asnjë kandidaturë nuk është shpallur zyrtarisht.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, sekretari elektoral Betim Gjoshi.

“Do të ofrojmë mbështetje dhe transparencë karshi atyre që kanë interes për të kandiduar”, u shpreh Gjoshi.

Ndryshe në media dhe në publik deri tash si kandidatë potencial për të marrë drejtimin e PDK-së, janë përmendur: Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku, Uran Ismaili e Bedri Hamza.

Telegrafi javën që po e lëmë pas ka provuar të marrë një qëndrim nga këta emra të përmendur nëse do të paraqesin kandidaturat e tyre, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe PDK ka njoftuar se kandidatët që synojnë të kandidojnë për kryetar duhet që të shpall kandidaturën e tyre më së largu me 1 korriku dhe duhet të ketë 50 nënshkrime të delegatëve nga 818 sa ka gjithsej Konventa.