Një 57-vjeçar është vrarë të mërkurën në Zllakuqan të Lipjanit dhe një tjetër është plagosur. Për rastin janë arrestuar dy të dyshuar.
Lajmin e ka konfirmuar për “KOHËN“, Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, e cila tha se dy të dyshuar janë arrestuar.
Ahmeti ka thënë se Policia është informuar për rastin rreth orës 13:00.
Bazuar në dyshimet e para thuhet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave ka ardhur deri te plagosja e rëndë me thikë e dy personave. Njëri prej tyre ka marrë lëndime fatale, ndërsa tjetri është dërguar për trajtim në QKMF në Magure.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje që ka ndodhë në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë. Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor. Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar”, ka njoftuar Ahmeti.
Ajo shtoi se aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.