Një i vdekur në aksident në Volljakë të Klinës

Një person ka vdekur në një aksident që ka ndodhur në fshatin Volljakë të Klinës të dielën. 

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë për KOHËN se policia është informuar për aksidentin nga QMF-ja në Volljakë të Klinës, ku ishte paraqitur një i lënduar për të kërkuar trajtim. 

Më pas në vendin e aksidentit është gjetur i vdekur në veturë një person. 

“Një i lënduar është paraqitur në QMF në Volljakë të Klinës rreth orës 10:00 sot. Mjeku kujdestar ka njoftuar policinë se personi i lënduar ka raportuar se ka qenë i përfshirë në një aksident. Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe mjeku kujdestar. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e  një personi të gjetur në veturë. I lënduari pas trajtimit në Emergjencën e Pejës, është liruar për në shtëpi”, tha Gashi.