Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se një i burgosur në këtë qendër sot është gjetur i varur në shtratin e tij në lartësi prej 1.5 metra.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për vetëvarje.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se sot rreth orës 07:30 në Qendrën Korrektuese Dubravë, i burgosuri me inicialet E.SH, është gjetur i vetëvarur në krevatin e tij në lartësi 1.5 metër. I njëjti në dhomë ishte i vetëm dhe për të kryer vetëvarjen ka përdorur shtratin e tij të dhomës”, thuhet në njoftim.
Sipas SHKK-së, një gjë e tillë nuk ka ndodhur më herët në qendra të paraburgimit.
“Kjo mënyrë e aktit të vetëvarjes është e paparë deri më tani për organet e SHKK-së , pasi që ato në rastet tjera kanë ndodhur kur akti i vetëverjes është kryer në lartësi më të madhe , por kjo nga krevati me një lartësi me pak se 1.5 metër është shumë habitshme. SHKK-ja do të punoj shumë ngushtë me organet tjera relevante që të zbuloj të gjitha arsyet e kësaj ngjarje”, thuhet tutje në njoftim.
SHKK-ja njofton se intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës ka qenë i shpejtë, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur ta shpëtojnë.
“Personi në fjalë ishte i dënuar për veprën penale: Vjedhje e rëndë. Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin, ndërsa SHKK-ja ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK-ja, i cili do të dalë me Raport Administrativ Përfundimtar”, thuhet në njoftim.