Një drejtor në Pejë infektohet me koronavirus, Komuna nuk ndërmerr masa për izolim të zyrtarëve

Drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj, është zyrtari i parë jo vetëm në ekzekutivin komunal të Pejës, por edhe në tërë administratën e kësaj komune, që është diagnostikuar me Covid-19.

Ai për Kohën ka konfirmuar se të enjten mbrëma i është komunikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rezultati pozitiv i testit.

Abazaj nuk e di se ku është infektuar me virus, pasi thotë se vazhdimisht, gjatë tërë kohës së pandemisë, ka zbatuar masat mbrojtëse, raporton KOHA.

Pas diagnostikimit me Covid-19 të drejtorit të Financave, në Komunën e Pejës nuk janë ndërmarrë masa izolimi ndaj ndonjërit prej zyrtarëve të tjerë, me arsyetimin se drejtori i infektuar maksimalisht është përkujdesur për masat e sigurisë.

Aktualisht në gjithë Komunën e Pejës janë rreth 70 raste aktive me koronavirus.

Derisa në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës po trajtohen 40 pacientë me Covid-19.

Me rritjen e numrit të rasteve me koronavirus në Pejë, sipas zëdhënësit të komunës, Naim Sahiti, në Repartin Infektiv janë përmbushur kapacitetet dhe tash pacientët e tjerë janë duke u sistemuar edhe në një hapësirë me hyrje të veçantë në Spitalin e Mushkërive.

Prej fillimit të pandemisë, në këtë komunë janë regjistruar rreth 200 raste të infektimit me Covid-19, prej të cilëve 6 veta kanë vdekur.