Është caktuar gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vendosë rreth një aktakuze të re të Speciales, përmbajtja e së cilës është konfidenciale.
Kjo është bërë e ditur të martën, përmes një njoftimi për shtyp të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren e Caktimit të Gjykatësve, Kryetarja e ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzës së re të paraqitur nga Prokurori i Specializuar. Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, shkruan në njoftim.
Caktimi i gjykatësit ka ardhur pasi që Prokurori i Specializuar ka njoftuar për nisjen e procedimit penal të ri para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Procedimet paraprake nisin kur Prokurori i Specializuar e çon aktakuzën për shqyrtim te gjykatësi i procedurës paraprake. Aktakuza konfirmohet vetëm nëse mbështetet në prova të mjaftueshme.
Në rast se aktakuza konfirmohet, i akuzuari paraqitet para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet rreth fajësisë. Nëse i akuzuari thotë se nuk është fajtor, atëherë pasojnë fazat tjera të procedurës paraprake. Nëse e pranon fajin, caktohet shqiptimi i dënimit. Ndërkaq, nëse aktakuza nuk konfirmohet, atëherë lënda hidhet poshtë.
Gjykata Speciale – me emrin Dhomat e Specializuara – funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.
Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.
Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.