Një 12-vjeçar gjendet i vdekur në shtëpinë e tij në Beçuk të Vushtrrisë

Një fëmijë i moshës 12-vjeçare është gjetur sot pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Beçuk të Vushtrrisë.

Viktima është gjetur nga familjarët rreth orës 14:00.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Sot, rreth orës 14:00, nga ana e familjarëve është raportuar se në shtëpinë e tij në fshatin Beçuk të Vushtrrisë, është gjetur pa shenja jete viktima fëmiu i moshës 12-vjeçare”, tha Zahiti.

Ai shtoi se njësitë relevante policore dhe ekipa mjeksore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”.

Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”. 

Kurse shkolla “Liria” në Strofc të Vushtrrisë, ku ka qenë nxënës i klasës së VI Faris Murati ka njoftuar për vdekjen e tij.

NJOFTIM MORTOR

Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, ju njoftojmë se sot u nda nga jeta një engjëll i shkollës sonë me emrin Faris.

Faris Murati ishte nxënës i klasës VI. Ai ishte një nxënës i mirë, i hareshëm dhe përplot jetë.

Ngushëllime familjes, farefisit, nxënësve dhe mësimdhënësve për këtë ndarje të dhimbshme e të papritur!

U prehsh në paqe, i dashur Faris!