Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu kanë marrë pjesë në fillimin e punimeve për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale M2”, të rrugës Prishtinë – Mitrovicë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në të kaluarën ka pasur plane të dobëta, përgatitje të pakta e zvarritje të shumta, transmeton Telegrafi.
Ndërsa, tani Kurti potencoi se janë shumë më të përgatitur.
“Në të kaluarën ka pasur plane të dobëta, e përgatitje të pakta. Me qeverinë tonë kemi shumë përgatitje, plane të hollësishme, prandaj punët janë të rregullta sipas procedurës. Nuk do të mungojë angazhimi ynë. Nga një rrugë e cila ishte me dy korsi, tash do të kemi rrugë nacionale me dy drejtime, secila me nga dy korsi”, ka thënë ai.
Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se projekti për zgjerimin e rrugës ka qenë shumë i rëndë e me probleme të shumta.
“Mobilizimin e kemi bërë maksimal, shenjat janë të mira, do të përkushtohemi maksimalisht. Këtu është dashtë ta bëjmë auditimi, proces i rëndë me probleme të shumta”, theksoi ministri.
Ndryshe, punimet në këtë rrugë kanë ngecur për shkak të problemeve të shpronësimit në atë pjesë.