Zëvendësministrat e Ministrisë së Financave (MF), Avni Zogiani dhe Agon Dobruna, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore e Kosovës, Ilir Murtezaj dhe Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, të mërkurën kanë vëzhguar nga afër ekipet inspektuese që kanë bërë inspektimin e punëtorëve të padeklaruar në Komunën e Prishtinës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë dhe gastronomisë.
Nisja e kampanjës, sipas MF-së, ka synim që të gjobit punëdhënësit që shkelin ligjin.
“Në këto vizita të realizuara, bizneset dhe punëtorët u informuan rreth rëndësisë së deklarimit të punëtorëve dhe fillimit të kampanjës së gjithmbarshme e cila ka për synim rritjen e zbatimit të ligjeve në fuqi përmes identifikimit dhe gjobitjes së punëdhënësve që shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve duke mos i deklaruar dhe duke mos ua paguar kontributet”, thuhet në njoftimin e MF-së.