Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, ka bërë përgjegjës për humbjen e opozitës kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Në reagimin e tij, Nishani u shpreh se Partia Demokratike duhet të çlirohet nga shembulli i paaftësisë.
“Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur. Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve! Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak. Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për t’u ringritur në madhështinë që i takon si parti e Lirisë dhe Rinisë”, tha ai.
Ai tha se përgjegjës kryesor për humbjen është Lulzim Basha dhe duhet të mbajë përgjegjësi, sepse po mban peng PD.
“Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike radhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh. Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike. Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu. Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra-mijëra shqiptarëve. Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim”, shprehet Nishani. /Atsh