Ka qenë një vit tejet i rëndë për investitorët në kriptovaluta. Bitcoini, si valuta më e madhe, ka humbur më shumë se gjysmën e vlerës më 2022. Tani qarkullon me çmim mbi 23 mijë dollarë, rreth 65 për qind më pak se vlera rekorde prej gati 70 mijë dollarësh vitin e shkuar. Vlera e të gjitha kriptovalutave ka rënë nga 2.2 trilionë dollarë në fund të 2021-s në pak më shumë se një trilion aktualisht. Bitcoini zë rreth 42 për qind të tregut total.
2022-shi ka qenë vit i tmerrshëm edhe për pronarët e kompanive që merren me shitblerjen e kriptovalutave, përfshirë “Coinbasen”. Kapitali i saj ra për rreth 75 për qind deri tash sivjet. Edhe aksionet e “Robinhoodit” kanë pësuar rënie të vlerës përgjysmë.
Megjithatë, tash ka shpresa se më e keqja ka marrë fund. Bitcoini ka kthyer 15 për qind të vlerës javën e shkuar, dhe dy tjera top-kriptovaluta kanë “shpërthyer” më shumë.
Solana është rritur për 35 për qind në shtatë ditët e fundit, ndërsa Etherumi për 45 për qind. Si valuta e dytë më e madhe në botë, Etheri përdoret edhe për të blerë tokenë jo të këmbyeshëm.
Coinbase po ashtu është kthyer me nëntë për qind të hënën. Kompania softuerike “MicroStrategy”, që kishte rreth 130 mijë bitcoinë në llogarinë e vet deri më 30 qershor, pati rritje të kapitalit prej 35 për qind në pesë ditët e fundit.
Rikthimi i kriptovalutave ka kthyer edhe shpresën te përkrahësit më të mëdhenj, por edhe ua ka kujtuar se tregu është i ndjeshëm e i paparashikueshëm, shkruan CNN.