Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e ka hedhur votën e saj para pak çastesh në qendrën e votimit te Fakultetit Teknik në Prishtinë.
“Unë votova dhe si kryetare mund të ju konfirmoj që KQZ-ja ka përfunduar të gjitha përgatitjet. Sot do të ja dorëzojmë procesin subjekteve politike dhe votuesve”.
Daka u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe politikanëve që gjatë procesit të votimit të respektojnë rregullat e pandemisë.
“Sot, KQZ-ja bën monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve.Ftoj qytetarët që t’i respektojnë të gjitha rregullat e pandemisë dhe të kenë kujdes të posaçëm poashtu edhe subjektet politike”, u shpreh Daka.
Kryetarja e KQZ-së ka folur edhe për votimin e personave me COVID-19, e veçanërisht ata që janë të hospitalizuar.
“Edhe ata të hospitalizuar do të vizitohen nga ekipet mobile, nëse kanë shprehur dëshirën të votojnë. Tek ne votimi nuk është obligues, është e drejtë kushtetutese që qytetarët zgjedhin ta ushtrojnë apo jo. Të gjithë ata që janë lajmëruar do të vizitohen nga ekipet mobile”, u shpreh ajo.