Nis largimi i barrikadave në fahatin Rudarë

Ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudare, i cili gjindet në Zveçan, raportojn REL.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Se barrikadat do të largoheshin bëri të ditur të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq takoi ata mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Pas takimit, Vuçiq tha se “besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”.

Për 20 ditë rresht rrugët kryesore në veri mbetën të bllokuara për qarkullim. Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër u vendos në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë në Merdare.

Serbët lokalë në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.

Institucionet e Kosovës thanë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Ai aktualisht është duke qëndruar në shtëpinë e tij dhe për të siguruar se nuk shkel masën e arrestit shtëpiak, institucionet e Kosovës kanë kërkuar ndihmën e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Për shkak të bllokimit të rrugëve nga barrikadat, Policia e Kosovës e kishte të pamundur ta transferonte Pantiqin në ndonjë qendër ndalimi. Nga dita e arrestimit e deri më 28 dhjetor, Pantiq u mbajt në qendrën e ndalimit në stacionin policor në Jarinjë.

Vendosja e barrikadave nxiti tensione të shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Serbia vendosi në gatishmëri ushtrinë si dhe rriti prezencën ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan vazhdimisht largimin e barrikadave si dhe respektim të marrëveshjeve të Brukselit.