Nis GROW, më shumë investime në energji për bizneset kosovare

Fondacioni i Milleniumit i Kosovës (MFK) i përkrahur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) fillon fazën e parë të projektit GROW përmes së cilit synohet përshpejtimi i investimeve të bizneseve të Kosovës në energji të ripërtërishme dhe efiçiencë të energjisë.

Projekti GROW (Green Recovery and Opportunity Window) fillon me asistencë teknike për biznese, kurse së shpejti pritet të promovojë edhe dritaren e garancioneve bankare, ofruar nga partneri kryesor institucional Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).

GROW do të ofrojë falas asistencë teknike dhe të personalizuar për bizneset, si dhe do t’i shqyrtojë potencialet dhe nevojat e bizneseve duke i udhëzuar rreth mundësive për financim të investimit të tyre.

“Furnizimi jo i qëndrueshëm me energji elektrike vazhdimisht është cilësuar si një nga problemet kyçe për të bërë biznes në Kosovë. Me problemet në rritje të furnizimit me energji në Evropë, kjo barrë është bërë edhe më e madhe për ekonominë e Kosovës. Kjo dritare garantuese do të ndihmojë bizneset që të marrin nën kontroll shpenzimet e tyre të energjisë, duke iu mundësuar që të planifikojnë dhe investojnë në prodhim vetanak të energjisë dhe të implementojnë masa të eficiencës së energjisë. Të gjitha këto-për t’i reduktuar problemet dhe pasiguritë në të ardhmen”, u shpreh Sarah Olmstead, Drejtore e MCC-së për Kosovë.

Asistenca teknike përmes GROW përfshin ndihmën për përgatitjen e aplikacioneve të bizneseve për të përftuar financim të investimeve përmes kredive në bankat komerciale. Bizneset do të mund të aplikojnë përmes growkosovo.com për të fituar ndihmë teknike dhe për të mësuar procedurat dhe dokumentacionet për t’u bërë vet-prodhues i energjisë, apo për investime tjera dedikuar kursimit të energjisë.

Petrit Selimi, Drejtor Ekzekutiv i MFK-së deklaroi se “investimi në energjinë e gjelbër do t’i pavarësojë bizneset për energji dhe do t’i bëjë ato shumë më konkurruese si në tregun vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar. Prandaj, asistenca teknike është vetëm faza e parë e projektit, pasi që ne jemi duke punuar intenzivisht me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) për të ofruar garanci kreditore për këto investime në mënyrë që mos të preket rrjedha e operimit të parasë së biznesit”.

Drejtori i Fondit Kosovar për Garanci Bankare, Besnik Berisha, deklaroi se “Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është duke punuar drejt finalizimit të Dritares GROW që ka për qëllim përkrahjen e NMVM-ve në mënyrë që të kontribuojnë në promovimin e investimeve që për qëllim primar kanë prodhimin e energjisë së ripërtëritshme për vet-konsum të bizneseve dhe investimeve që kontribuojnë drejtpërdrejtë në kursimin e energjisë. Përmes kapitalit të donuar nga KfW do të fillojë implementimi i kësaj dritareje, që do t’i ndihmojë institucionet partnere financiare, në kreditimin e sektorëve të cilët nuk janë shërbyer deri më tani.

Për më tepër, konsulenca që do të ofrohet përmes asistencës teknike nga MCC/MFK dhe KfW do të shfrytëzohet në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve partnere financiare duke ofruar trajnime të dizajnuara për stafin e tyre, duke punuar drejtpërdrejt me klientët që t’i orientojë drejt investimeve të gjelbra.”

Në anën tjetër, GROW do të ofrojë asistencë teknike edhe për investime në masa të efiçiencës së energjisë si makineri të reja, izolim i objektit, dritare, pompë termike ndër të tjera. Bizneset do të marrin vlerësime dhe rekomandime për investimet e nevojshme në këtë drejtim në mënyrë që ta reduktojnë konsumin e energjisë si dhe t’i ulin shpenzimet operative të biznesit.

Projekti GROW është pjesë e programit ‘Peizazhi i Energjisë së Qëndrueshme’ që implementohet nga Fondacioni i Milleniumit i Kosovës (MFK), subjekti implementues i ‘Marrëveshjes së Pragut’, me vlerë $49 milion, e arritur midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). ‘Programi i Pragut’ adreson dy çështje kryesore për zhvillim ekonomik të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike dhe sundimin e dobët të ligjit.