Ngritja e madhe e Zelenskyt

Në këto pamje nga muaji dhjetor, Volodymyr Zelensky shihet duke u takuar me ushtrinë ukrainase.

Udhëheqësi ukrainas është shndërruar në një hero në konfliktin mes vendit të tij dhe forcave pushtuese ruse, duke refuzuar ta braktisë kryeqytetin edhe kur raketat e armikut po shkatërrojnë vendin.

“Qëndroj këtu në Kiev, në Rrugën Bankova. Nuk fshihem e nuk kam frikë nga askush, për sa kohë që është e nevojshme ta fitojmë luftën tonë patriotike”, ka theksuar ai në fillim të kësaj jave.

Në rastin e tij kishte ndodhur një ngritje e pazakontë në pushtet.

Pas studimeve për drejtësi në universitet, Zelenskyy u bë aktor dhe komedian.

Madje, në serinë “Servant of the People” luajti rolin e profesorit të historisë, të cilit i kishin ardhur te hunda politikanët e korruptuar. Dhe krejt rastësisht ai përfundon duke u zgjedhur president.

Në kohën kur nisi të mendonte për karrierë në politikë, ishte fiks një rast kur jeta imiton artin.

Popullariteti botëror

Shtetet e ndryshme po blejnë të drejtat e transmetimit të serisë.

Sipas Rory Finnin, profesor i asociuar i studimeve ukrainase në Universitetin e Kembrixhit, revolucioni i dinjitetit të Ukrainës, i njohur gjithashtu si Revolucioni Maidan, ishte thelbësor në transformimin e Zelenskyyt.

“Pikëpamja e tij për politikën duket se ndryshon vërtet kur ukrainasit dhanë jetën në luftën kundër ish-presidentit Viktor Yanukovich, i cili u largua nga vendi për në Federatën Ruse në vitin 2014. Ky ishte një çast vendimtar për të gjithë popullin ukrainas. As ai nuk bënte përjashtim. E në vitin 2015, për shembull, Zelenskyy kishte performuar si humorist për trupat ukrainase në vijën e frontit mes Ukrainës dhe pjesës lindore të saj të pushtuar nga Rusia, e njohur si Donbass. Atje mblodhi para për trupat dhe u kërkoi që ta rrisnin moralin”, ka theksuar Finnin.

Ashtu si personazhi i tij televiziv, Zelenskyy erdhi në detyrë duke u zgjedhur në formë demokratike kur fitoi zgjedhjet në vitin 2019. Mposhti keq një biznesmen miliarder.

“E vetmja gjë që është e qartë tani, është se Zelenskyy ka diçka që asnjë politikan tjetër ukrainas nuk e ka, e këto janë aftësitë udhëheqëse. Ato janë unike. Ai ka karizëm”, ka thënë Finnin. “Nuk është fals, as i detyruar. Patriotizmi i tij është i vërtetë. Dhe nga ajo që unë kam kuptuar, nga miqtë dhe kolegët që e njohin mirë, Zelenksyy ka një temperament të ngrohtë dhe të sjellshëm, ama as nuk vuan për budallallëk”.

Ai kishte premtuar se do ta thyente pushtetin e oligarkëve të korruptuar të cilët deri atë kohë e kishin kontrolluar kuturu Ukrainën, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Dhe para pushtimit të Rusisë, Zelenskyy tashmë kishte arritur njëfarë suksesi. Hoqi imunitetin e deputetëve dhe ngriu asetet e oligarkëve të mbështetur nga Kremlini.

Mirëpo edhe ai ka ardhur në pushtet me pak përvojë dhe ka bërë gabime gjatë mandatit të tij.

Si Churchilli

“Si dikush që ka nevojë për t’i lëvizur levat e pushtetit shtetëror, ai shpesh është penguar. Ka qenë i nxituar ndonjëherë. Sikur në rastin kur ka vendosur të emërojë miq të besuar, në kërkim të besnikërisë. Mirëpo ata miq nuk kishin shumë përvojë në qeveri”, ka theksuar Finnin. “Ukraina është shumë, shumë e madhe. Siç e kemi thënë tashmë, është shumë e larmishme. Rajone të ndryshme kanë elita të ndryshme politike. Ai duhej t’i njihte ato. Nuk ishte gjithmonë i durueshëm, dhe ndonjëherë ka qenë i çrregullt”.

Guximi i qëndrimit të Zelenskyyt për sovranitetin e Ukrainës mund të mos ishte pritur nga dikush, përgjegjësia më e madhe politike e të cilit për shumë vjet ishte ndjenja se ai ishte shumë i prirë për të kërkuar kompromis me Moskën.

Udhëheqësi ukrainas kishte kandiduar për postin në një platformë ku mund ta negocionte paqen me Rusinë, e cila e kishte marrë Krimenë nga Ukraina dhe kishte mbështetur dy rajone separatiste proruse në vitin 2014, duke e çuar në konflikt të ngrirë që kishte vrarë afro 15.000 njerëz.

Edhe pse Zelenskyy menaxhoi një shkëmbim të burgosurish, përpjekjet për pajtim dështuan pasi këmbëngulja e Putinit që Ukraina të largohej nga Perëndimi u bë gjithnjë e më intensive, duke e pikturuar Qeverinë e Kievit si një fole ekstremizmi të drejtuar nga Uashingtoni.

Pushtimi rus e ka katapultuar presidentin drejt njohjes ndërkombëtare dhe ka tërhequr vëmendjen te pikat e tij të forta si lider.

“Nuk duam ta romanizojmë asnjë figurë politike, mirëpo në të njëjtën kohë duhet ta përgëzojmë për një lidership të guximshëm, të qartë, parimor sa herë që e shohim, sepse atëherë kur duket se ka mungesë, Zelenskyy është duke e mishëruar atë udhëheqje. Mendoj se ai do të thoshte se këtë më të vërtetë e merr nga vetë populli ukrainas, ngaqë po i shohim këto skena emocionuese në nivelin bazë, në nivelin e ushtrisë, të një mbrojtjeje energjike të vendit të tyre demokratik kundër atij regjimi autoritar, agresiv e brutal”, ka theksuar Finnin.

Me kurajë, humor të mirë dhe hir nën zjarrin që ka mbledhur popullin e tij, si dhe me përshtypjen që ka lënë te homologët perëndimorë, ish-aktori kompakt, me flokë të errët, 44-vjeçar, ka qëndruar në vend, ani pse thotë se ka një shënjestër në shpinën e tij nga pushtuesit rus.

Të martën Zelenskyy iu kishte drejtuar Parlamentit të Britanisë së Madhe.

Në një fjalim që i bëri jehonë liderit të kohës së luftës, Winston Churchill, ai u tha politikanëve britanikë: “Ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të humbasim. Do të luftojmë deri në fund të detit e deri në ajër. Do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë me çdo kusht. Do të luftojmë në pyje, në fusha, në brigje e në rrugë”.