Me suksesin në Mastersin në Budapest, xhudoja kosovare ka prekur nivel të ri. Distria Krasniqi tani është xhudistja më e ranguar në botë. Këtë më herët e kishte arritur vetëm Majlinda Kelmendi.
Në ranglistën e publikuar të hënën nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, Distria është xhudistja më e ranguar prej të gjitha kategorive. I ka 8280 pikë. E dyta më e ranguara është japonezja e kategorisë deri 70 kilogramë, Saki Niizoe. Ajo i ka 8150 pikë.
E treta është francezja e kategorisë deri 78 kilogramë, Romane Dicko me 7850 pikë. Pikët grumbullohen me sukses nëpër gara. Në Masters, Distria ishte e dyta në kategorinë deri 52 kg. I fitoi 1260 pikë. Kështu është përforcuar në pozitën e parë në ranglistë në kategorinë deri 52 kg. E dyta në këtë kategori tani është Amandine Buchard me 7245 pikë.