Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Prokurori Abazi nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të shtetit të Serbisë në sulm – gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse ajo vetë e ka mohuar.
Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.
Ajo e ngarkon Radoiçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”.
Prokurori Abazi tha se falë bashkëpunimit ndërkombëtar me SHBA-në, shtete të BE-së dhe të tjera, prokuroria ka arritur të sigurojë “prova që ndihmuan në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”.
Ai tha se gjatë procesit të hetimeve “janë sekuestruar dhe konfiskuar prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare, të cilat dyshohet se janë fituar nga aktivitete të paligjshme”.
Sipas tij, janë konfiskuar “mbi 1.266 armë dhe pajisje të tjera”.
“Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete të mëtejshme kriminale, duke goditur strukturën financiare të këtij grupi kriminal”, tha Abazi.
Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin në fund të vitit të kaluar.
Ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Muajin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për informacione në lidhje me rastin Banjska.