Nëse ju pëlqen të bëni ndryshime për Vitin e Ri, atëherë duhet të konsideroni të bëni një pakt me veten për të ngrënë më shumë bimë gjatë 12 muajve të ardhshëm. Jo vetëm që frutat, perimet dhe ushqimet e tjera në një dietë me bazë bimore janë të shijshme, por ato gjithashtu mund t’ju shpëtojnë jetën në vitin 2023.
Ajo që ekspertët shëndetësorë zbuluan në një studim të kryer vite më parë ishte se dietat me bazë bimore mund të ndihmojnë në parandalimin ose trajtimin e 25 sëmundjeve të ndryshme, që variojnë në simptoma dhe ashpërsi. Megjithëse studimi u krye dekada më parë, informacioni që ai dha mund të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje më të shëndetshme kur bëhet fjalë për dietën tonë, të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin e disa sëmundjeve të zakonshme.
Sëmundjet e zemrës
Çdo 34 sekonda, dikush në Shtetet e Bashkuara vdes për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, gjë që e bën atë shkakun kryesor të vdekjes për të rriturit në SHBA, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Për fat të mirë, studime të shumta kanë zbuluar se ushqimet me bazë bimore mund ta përmirësojnë shëndetin e zemrës dhe ta ulin rrezikun e vdekjes nga shkaqe kardiovaskulare. Një dietë ushqimore me bazë bimore është e lartë në fibra, minimizon yndyrat e ngopura dhe yndyrat trans, dhe është e mbushur me fruta, perime, drithëra, arra, fara dhe bishtajore, të cilat të gjitha e ulin kolesterolin në trup, inflamacionin dhe e zvogëlon rrezikun e të gjitha këtyre sëmundjeve kronike shumica e të cilave përkeqësohen nga një dietë inflamatore me nivele të larta të proteinave shtazore.
Sulmi në tru
Rreth 87 për qind e sulmeve janë ato që njihen si goditje ishemike, të cilat ndodhin kur një sasi e mjaftueshme gjaku nuk është në gjendje të shkojë te truri. Megjithatë, ashtu si sëmundjet e zemrës, studimet kanë treguar se dietat me bazë bimore mund të ndihmojnë në parandalimin e goditjeve në tru.
Diabeti
Diabeti prek më shumë se 11 për qind të personave që jetojnë në SHBA, që është mbi 37 milionë individë. Një studim i vitit 2017 i publikuar nga gazeta “Journal of Geriatric Cardiology”, gjithashtu thekson se këto shifra vazhdojnë të rriten, ndërsa tregon se dietat me bazë bimore mund të ndihmojnë në parandalimin dhe menaxhimin e diabetit të tipit 2. Inflamacioni dhe nivelet e larta të sheqerit në gjak (të lidhura me ushqimet e përpunuara dhe disa produkte mishi) mund ta rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2. Me sa duket, një dietë me bazë bimore me ushqime të plota e ndryshon këtë dhe e ul inflamacionin dhe sheqerin në gjak.
Sëmundjet e veshkave
Një tjetër çështje serioze që prek rreth 37 milionë të rritur në SHBA është sëmundja e veshkave. Diabeti dhe presioni i lartë i gjakut e rrisin rrezikun e sëmundjeve të veshkave, por kjo është një tjetër çështje shëndetësore që mund të parandalohet ose menaxhohet me një dietë me bazë bimore. Kur e hamë një dietë me ushqime të plota, me bazë bimore, ne mund ta ulim presionin e gjakut dhe rrezikun për diabet, dhe për këtë arsye mund ta ulim rrezikun e sëmundjes së veshkave.
Kanceri i gjirit
Kanceri i gjirit është një nga llojet më të përhapura të kancerit. Në fakt, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se më shumë gra do të përballen me kancerin e gjirit, krahasuar me çdo formë tjetër së kësaj sëmundjeje, përveç kancerit të lëkurës. Hulumtimi i fundit i kryer nga Universiteti “Paris-Saclay” zbuloi se një dietë e shëndetshme me bazë bimore mund të jetë në gjendje ta zvogëlojë rrezikun e kancerit të gjirit me 14 për qind.