Një hulumtim në shkallë të gjerë i njerëzve që hanë kërpudha, sugjeron se ata kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të depresionit.
Pse ndodhë një gjë e tillë është ende mister dhe për momentin, ekspertët thonë se të dhënat nga ky hulumtim duhet të interpretohen më me kujdes.
Ky është një nga studimet e para mbi konsumin e përgjithshëm të kërpudhave dhe lidhjen e tyre me depresionin. Ai përfshin të dhënat e dietës dhe shëndetit mendor të më shumë se 24 mijë të rriturve në Shtetet e Bashkuara, nga viti 2005 deri më 2016.
Hulumtimet nuk bëjnë dallimin midis llojeve të ndryshme të kërpudhave, por janë në përputhje me disa prova të vogla klinike që zbuluan se ngrënia e llojeve të caktuara të kërpudhave, mund të ndihmojë në uljen e depresionit dhe ankthit.
Kërpudha e bardha ndryshe të njohura si ‘Agaricus bisporus’, janë ndër më të zakonshmet të konsumuara në Amerikë dhe janë të pasura me kalium, i cili mendohet se ndihmon në uljen e ankthit. Kërpudhat tjera të ngrënshme, si ajo e njohur me emrin ‘kreva e luanit’, dihet se përmbajnë faktorë neurotrofikë të lidhur me shëndetin e trurit si dhe agjentë anti-inflamatorë, të cilët mendohet se ndihmojnë në zbutjen e simptomave të depresionit.
Por shkenca e të ushqyerit është një biznes i ndërlikuar. Kërpudhat përmbajnë një shumëllojshmëri të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve që mund të kontribuojnë në efektet e tyre të dukshme antidepresive. Prandaj, zbulimi i faktorëve me ndikim do të kërkojë shumë më tepër studime molekulare, klinike dhe epidemiologjike.
Sidoqoftë, ekziston një antioksidant i fuqishëm i njohur si ‘ergothioneine’ që përmbahet në kërpudha, të cilin shkencëtarët e kanë vënë re. Njerëzit mund ta marrin atë vetëm përmes dietës dhe kërpudhat e kanë atë në përqendrimin më të lartë se çdo ushqim tjetër të freskët që e konsumojmë.
Megjithatë, ky është vetëm një shpjegim i mundshëm. Më shumë kërkime do të duhet të bëhen për të kuptuar se çfarë është e ndryshme në lidhje me kërpudhat specifike, dhe se si këto dallime në fund të fundit ndikojnë në shëndetin e njeriut.
Është e qartë se ka ende shumë që nuk dimë për marrëdhënien midis kërpudhave dhe shëndetit mendor. Por duke pasur parasysh se sa shpesh lidhja mes tyre vazhdon të shfaqet në studime, ia vlen të eksplorohet më shumë.
Studimi në fjalë është publikuar në gazetën “Journal of Affective Disorders”.