Një ngjarje e rëndë sot ka ndodhur në fshatin Çarshovë të Përmetit, ku një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali, duke rënë në shtëpinë e shtetasit Thoma Vangjeli.
Shkëmbi ka zënë gjymtyrët e poshtme të të birit, Dhimitër Vangjeli 25 vjeç, ndërkohë që po vijon puna për lirimin e tij.
Njoftimi:
“Mëngjesin e sotëm, në fshatin Çarçovë, një masë shkëmbore ka rrëshqitur nga mali dhe ka rënë në banesën e shtetasit Dh. V., 25 vjeç. Si pasojë, ka mbetur i bllokuar në banesë, 25-vjeçari, të cilit një pjesë e masës shkëmbore i ka zënë gjymtyrët e poshtme dhe i ka pamundësuar lëvizjen”, njoftoi policia.
25-vjeçari ndodhet ende në banesë. Për këtë arsye në drejtim të fshatit, janë nisur zjarrfikësit dhe ambulanca ku po punohet për nxjerrjen e të riut.
Siç duket edhe nga pamjet, masivi shkëmbor që ka rënë në banesë është shumë i madh.


