Ngadalësimi i rritjes ekonomike, kërkohet ndërhyrja e shtetit

Pasiguri në rritje ekonomike të Kosovës kanë shfaqur përfaqësuesit e bizneseve në vend. Kjo për arsye të inflacionit, mos rritjes së pagave, mos shpenzimit të mjeteve për projekte kapitale, rritjes së çmimit të energjisë dhe disa faktorë të tjerë. Në këtë rast po kërkohet ndërhyrja e qeverisë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Skënder Krasniqi tha se në bazë të analizave që janë dukë bërë në teren, kanë parë se biznesi nuk është në gjendje të mirë dhe ka nevojë për një ndërhyrje emergjente, qoftë në politika fiskale, qoftë përkrahje financiare përmes bankave apo edhe të shtetit, në mënyrë që të mos vije deri të rënia apo falimentimi i tyre. Krasniqi po konsideron se në rast se nuk ndërhyn qeveria, vendi mund të përballet me rënie ekonomike.

“Në rast se qeveria me urgjencë nuk bënë ndërhyrje në politikat fiskale në përkrahje të bizneseve edhe në aspektin financiar, do të kemi një rënie të theksuar të ekonomisë ”, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka përmendur disa faktorë që mund ta çojnë vendin në ngadalësim ekonomik. Mos ngritja e pagave dhe rritja e energjisë janë probleme shtesë që po e përcjellin vendin.

“Mund të ketë rënie ekonomike në vend, sepse inflacioni është i lartë nga  vendet e BE-së e në rast se vazhdon me këtë trend do të ndikojë. Në rast se qeveria nuk i shpenzon mjetet për projekte kapitale,  në rast se qeveria nuk i ndihmon bizneset që gjendet në vështirësi, nuk subvencionon energjinë elektrike që është rritur dhe në rast se nuk i rritë pagat e këta janë faktorët që do të ndikojnë në rënie ekonomike”, deklaroi Rafuna. 

Rreth tre të katërtat apo 63%  e përfaqësuesve të biznesit në Kosovë (CEO) të cilët kanë marrë pjesë në anketën e 26-të  vjetore të PwC, besojnë se rritja ekonomike globale do të bjerë gjatë 12 muajve të ardhshëm raporton Radio Kosova. 

23% e CEO-ve në Kosovë po ulin kostot, 38% po rrisin çmimet, megjithatë 83% nuk planifikojnë të ulin numrin e punonjësve dhe 83% nuk planifikojnë të ulin kompensimin. – Mungesa e fuqisë punëtore/punëtorëve të kualifikuar shihen si sfidat më të mëdha për fitimet afatgjate të industrive për CEO-të në Kosovë, shkruhet në publikim.  PwC janë kompani që u ofrojnë klientëve shërbime biznesi përfshirë kontabilitetin, auditivin , konsulencën e burimeve njerëzore etj.

Por,  vlerësimet e Bankës Qendrore të  Kosovës,  janë se do të ketë rritje ekonomike 3 deri në 4%  përgjatë vitit 2023.  Kjo, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesave të brendshme dhe rritjes së importeve.  BQK ka parashikuar se do të ketë edhe ulje të inflacionit në gjysmën e dytë të vitit.