Kohëve të fundit është kthyer në temë kryesore liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo çështje është kthyer edhe në debat publik në rrjetet sociale mes diplomatëve evropianë, i nxitur nga diplomati amerikan, Richard Grenell.
Grenell, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe gjatë ditës së sotme në Twitter duke shkruar se e mirëpret takimin e 10 korrikut ku do të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi, por gjithashtu ka kërkuar që çështja e vizave të përmbyllet në këtë takim, shkruan lajmi.net.
“Jemi të kënaqur të shohim se Evropianët do të mbajnë një takim me 10 korrik për diskutime të mëtejme me Kosovën dhe Serbinë. Ne u ofrojmë mbështetjen tonë të plotë dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre. Shpresojmë që çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave të përmbyllet në këtë takim”, shkroi ai.
Lajmi.net ditë më parë është interesuar se cili është qëndrimi i Shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell karshi liberalizimit të vizave për kosovarët.
Nga Zyra e Borell për lajmi.net janë shprehur se liberalizimi i vizave për kosovarët vazhdon të jetë objektiv i tyre, përderisa edhe Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur standardet për liberalizim.
Më tutje në përgjigjen e tyre thuhet se propozimi për liberalizimin e vizave për kosovarët është pezull në këshill, por kanë theksuar gjithashtu se duhet të trajtohet si çështje urgjente.
“Në disa raste, ne kemi shprehur publikisht qëndrimin tonë kundrejt liberalizimit të vizave. Liberalizimi i vizave vazhdon të mbetet objektivi ynë i përbashkët, derisa Komisioni dhe EEAS qëndrojnë prapa vlerësimit se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për të përshkuar rrugën drejt liberalizimit të vizave. Propozimi është pezull në Këshill, i cili duhet të trajtohet si çështje urgjente.”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Borell për lajmi.net.
E lidhur me këtë çështje 42 anëtarë të Parlamentit Evropian i kanë dërguar kërkesë presidentit të Francës për heqje të vizave për kosovarët. Nuk është rastësi që kjo kërkesë i drejtohet Francës pasi mendohet si shteti më skeptik lidhur me këtë vendim.
“Sot, së bashku me 41 anëtarë të Parlamentit Evropian, nënshkruam dy letra adresuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kryeministrit të Holandes, Mark Rutte, me kërkesën që të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës deri në fund të vitit 2020. Kanë kaluar tshmë dy vjet që kur Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave. Vetëm në kështu Evropa mund të bëhet ndërmjetësuese e drejtë”, shkroi Andrey Kovatchev anëtar i Parlamentit Evropian.
Mbetet të shihet se cilët do të jenë hapat e radhës të Bashkimit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.