Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, dhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, kanë mbajtur sot konferencë për media.
Zëvendësguvernatori i BQK-së ka paralajmëruar ulje të polisave për çmimin e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve (TPL), kjo bazuar në çmimet e tregut dhe liberalizimin e kësaj industrie.
Havolli ka thënë se BQK-ja ka marrë një sërë masash sa i përket industrisë së sigurimeve.
Ai ka bërë me dije se nga fillimi i vitit të ardhshëm TPL-ja do të paguhet në bazë të rrezikshmërisë individuale dhe po ashtu do të bëhet liberalizimi i tregut në këtë industri.
“Çmimet duhet të jenë të përcaktuara nga tregu. Modeli i polisave duhet të jetë i bazuar në riskun e gjithsecilit, lëvizje drejtë liberalizimit. Në fillim të vitit të ardhshëm duhet të kemi modelin e ri të çmimeve për TPL”, ka thënë Havolli. /Epoka e Re/