Nga Trusti flasin për tërheqjen e 30% të parave

Tërheqja e mjeteve të Trustit nga ana e qytetarëve po shihet si një mundësi për përballimin e rritjes së çmimeve.

Klankosova.tv ka pyetur në këtë institucion lidhur me atë se a është i gatshëm për këtë proces në rast se miratohet nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, zëdhënësi i Trustit Jeton Demi, tha se Fondi i Kursimeve Pensionale, e ka për mandat t’i adiministrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve.

“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i adiministrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve. Ky mandat nënkupton zbatimin e kornizës ligjore në fuqi, e cila buron nga institucionet përgjegjëse. Pra, rrjedhimisht, ne mund të deklarojmë vlerësimet tona vetëm në kuadër të mandatit tonë institucional”.

Lidhur me këtë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, më datën 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.