Nga sot, asnjë veturë nuk duhet të jetë pa stikersa

Nga sot asnjë automjet nëpër rrugët e Kosovës nuk duhet të jetë pa etiketë (stikers), e cila dëshmon se automjeti në fjalë ka të kryer procesin e regjistrimit, ashtu siç parashihet me ligjet në fuqi.

Gjatë vitit të parë të zbatimit të projektit për vendosjen e ngjitëseve, i mbështetur financiarisht 100% nga kompanitë e sigurimeve që operojnë në vendin tonë, rezultatet janë të dukshme.

Por efekti do të jetë më i madh nga sot 16.03.2023, kur asnjë veturë nëpër rrugët e Kosovës më nuk duhet të jetë pa etiketë.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, vlerëson se projekti në fjalë ka dhënë rezultate të mëdha vitin e parë, por rezultat edhe më të mëdha do të jepen sivjet.

“Vitin e parë ngjitësi ka pasur ngjyrë të kuqe, ketë vit ka ngjyrë të gjelbër dhe praktikisht sot bëhet një vit, kështu që nga nesër asnjë automjetet nëpër rrugët e Kosovës nuk duhet të jetë pa ngjitës”, tha Mazreku.

Sipas tij, përmes këtij projekti pritet edhe më shumë ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara në vendin tonë.