Nga një muaj paraburgim për tre sulmuesit e Valon Syles

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit nga një muaj për sulmuesit e gazetarit Valon Syla.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se të pandehurit L.D, K.H dhe O.H dyshohet se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, transmeton Telegrafi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se, gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, para tri ditësh Policia ka arritur t’i arrestojë tre persona të dyshuar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

Gazetari Valon Syla pretendon se sulmi mund të ketë lidhje me reagimet e tij rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK.

Syla i përshkruan tre të dyshuarit “në dukje islamik fanatik”.

Për rastin në fjalë, pati reagime të ashpra të shoqërisë civile, liderëve institucionalë, e Bashkimit Evropian.