Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej nga një muaji 25 zyrtarëve të arrestuar të hënën (14 mars) në operacionin e koduar me emrin “Pika”. Ndësa, ndaj 25 zyrtarë të tjerë vendimi nga gjykata do të merret gjatë ditës së nesërme.
Para turpit gjykues, në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë dalë sot 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë të arrestuar të hënën në pikat kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë, që dyshohet se janë përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të “marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Në njoftim thuhet se “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.K, A.SH, A.H, B.L, D.L, F.S, F.GJ, G.A, G.H, G.SH, G.T, H.D, H.P, H.H, I.D, I.D, I.T, K.S, L.H, M.B, R.T, S.M, XH.H, XH.H dhe XH.L për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotorpe dhe analoge e sanksionuar me nenin 267 paragrafi 3 të KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e sanksionuar me nenin 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Marrja e ryshfetit, e sanksionuar me nenin 421 paragrafi 2 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit e sanksionuar me nenin 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Kontrabandimi i mallrave e sanksionuar me nenin 311 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër njëzet e pesë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç. Të pandehurve iu është caktuar paraburgimi në bazë të nenit 165 paragrafi 2 nën paragrafi 2.5 pika 2.5.2 dhe 2.5.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Në njoftim thuhet se gjykata ka mbajtur seancën dëgjimore edhe për 25 të pandehur të tjerë, ndërsa vendimi nga gjykata do të merret gjatë ditës së nesërme.
Që nga ora 10:00 në mëngjes ka nisur seanca ndaj 50 zyrtarëve shtetërorë, 48 policë kufitar e 2 doganierë.
Më shumë se 7 orë ka zgjatur seanca për caktimin e masës se sigurisë, kërkesë kjo që u bë nga Prokuroria Speciale.
Dy seanca të ndara në dy salla të ndryshme u mbajtën seancat me dy grupet e zyrtarëve policorë dhe doganierëve, që u arrestuan dje e që po dyshohen për krim të organizuar, marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndryshe, një ditë më parë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me urdhër të Prokurorisë Speciale ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Pika” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në Gjakovë dhe Prizren, i cili ka rezultuar me arrestimin e 50 personave.
Operacionit i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
IPK ka njoftuar se hetuesit e Departamentit të Hetimeve muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë respektivisht pikë-kalimeve kufitare në Qafë Prush dhe Qafë Morinë si dhe dy zyrtarëve doganorë.