Nga korriku Prishtina do të përballet me reduktime të furnizimit me ujë

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” po planifikon që nga muaji korrik në rajonin e Prishtinës të nisë me reduktime të furnizimit me ujë, për shkak të gjendjes së rëndë të liqeneve akumuluese.

Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja e KRU “Prishtinës”, Arieta Mjeku, ka thënë se liqeni i Batllavës aktualisht është në 8.05 metra nën nivelin maksimal, ndërsa liqeni i Badovcit është 10.45 metra nën nivelin maksimal.

Ajo ka thënë se mungesa e reshjeve do të bëjë që në korrik qytetarët të përballen me reduktime të furnizimit me ujë. Qytetarët që më shumë do të preken nga këto masa janë ata që furnizohen nga liqeni i Badovcit.

“Nga korriku planifikojmë të fillojmë me aplikimin e reduktimeve në zona të shërbimit. Sidomos në zonat që furnizohen nga Badovci, sepse edhe liqenin e Badovcit e kemi në gjendje më të vështirë”, ka thënë Mjeku.

Ajo ka përsëritur apelin e KRU “Prishtinës” që qytetarët të bëjnë shpenzime racionale që të ruhen rezervat e ujit për periudhat vijuese, ndërsa ka theksuar se “përveç shpenzimit të ujit apelojmë edhe për pagesa të rregullta për shërbimet që të ruajmë qëndrueshmërinë financiare të kompanisë, e cila ndërlidhet me shërbimet e ofruara për konsumatorët”.