Nga java tjetër qytetarët mund ta zgjedhin llojin e vaksinës që do ta marrin

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga java tjetër qytetarët mund të zgjedhin nëse do të vaksinohen me Pfizer ose AstraZeneca.

Duke qenë që stoku aktual me vaksina kundër COVID-19 është i qëndrueshëm, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 vendosi që qytetarëve t’u ofrohet mundësia që të përcaktohen për llojin e vaksinës që do ta marrin (në konsultim me mjekun e ekipit të vaksinimit), për aq kohë sa ekziston kjo mundësi.

Kjo ministri iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i qasen platformës eKosova për caktim të termineve për vaksinim kundër COVID-19.

Kategoritë të cilat mund ta caktojnë termine për vaksinim janë si në vijim:

  • Qytetarët e moshës mbi 40 vjeç.
  • Personat me sëmundje kronike pa dallim moshe (me dëshmi mjekësore);
  • Qytetarët që i takojnë ndonjërit nga profesionet si: Punëtorë shëndetësorë; Mësimdhënës; Forcat e sigurisë (Policia dhe FSK); pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës; pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë; pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës; zjarrfikësit;
  • Qytetarët të cilëve u kërkohet vaksinimi nga Ambasadat për udhëtim jashtë vendit (për çështje të vizave).
  • Zyrtarët publikë;
  • Zyrtarët e Agjencionit të Aviacionit;
  • Agjencia Shtetërore e Navigimit Ajror;
  • Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës“Adem Jashari”;
  • Zyrtarët doganorë;
  • Gazetarët;
  • Gastronomia-dëshmi kontrata e punës.

Ministria e Shëndetësisë tërheq vërejtjen se cilado kategori e qytetarëve që merr mesazhin/njoftimin për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit sipas vendbanimit të tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket.