Nga 93 teste asnjë rast sot me koronavirus në Kosovë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një konferencë për media, se edhe sot, në bazë të listës së parë, nuk ka rezultuar asnjë person pozitiv me COVID-19.

“Profesori Naser Ramadani të cilit i kërkoj falje për ekskluzivitetin, ma dha një lajm të mirë. Në listën e parë deri tani, janë 93 të testuar dhe nuk e kemi asnjë të infektuar as sot”, ka thënë Vitia në konferencë për medie.

Vitia ka folur edhe për hapjen e bizneseve, shkollave e çerdheve. Sipas tij, kjo mund të ndodhë në fazën e tretë që nis më 1 qershor, por paraprakisht do të bëhet një vlerësim i situatës epidemiologjike.

“Nëse kjo vazhdon akoma, ne do ta bisedojmë edhe me IKSHPK-në dhe mund të ndodhë që disa aktivitete të fillojnë para datës 1 qershor”, shtoi Vitia.