Nga 8 rastet e reja me koronavirus në Vushtrri, 3 punëtorë shëndetësorë

Në Vushtrri sonte janë konfirmuar tetë raste të reja me koronavirus. Kryetari Xhafer Tahiri në RTV Dukagjini tha se të infektuarit janë raste kontakti.

Sipas tij, pacienti që ka shkaktuar rastet është trajtuar ordinanca private dhe nuk është referuar me kohë në Klinikën Infektive.

“Pacienti ka frekuentuar së paku tri klinika private dhe asnjëra nga to nuk e ka referuar për testim për koronavirus, por në fund e ka referuar Qendra e Mjekësisë Familjare”, tha ai.

Kryetari i Vushtrrisë thotë se nga këta të infektuar tre prej tyre janë personel shëndetësorë. “Dy nga të infektuarit janë punëtorë shëndetësorë të sektorit publik dhe njëri nga sektori privat”.

Tahiri thotë se personat që kanë dalë pozitiv me COVID-19 janë në vet izolim dhe janë nën monitorim të rreptë të policisë.

Ai ka thënë se mbyllja e qytetit apo fshatrave nuk është më opsion në këtë fazë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka treguar së në këtë komunë janë 31 raste aktive me koronavirus.

Tahiri u ka bërë thirrje qytetarëve të mos u afrohen personave që nuk kanë maska në mënyrë që të mos rrezikojnë infektimin.