Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Kroaci, ku autobusi i linjës Franfkurt-Prishtinë ka humbur kontrollin dhe është rrokullisur, ku si pasojë 10 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar.
Sipas medieve të huaja, zyrtarët thanë se autobusi bartte 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë dhe dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në përplasje.
Shefi i policisë lokale, Franjo Galic, e përshkroi përplasjen “si një nga aksidentet më të këqija që ka parë ndonjëherë”.
Bëhet e ditur se 44 persona të lënduar u transferuan në spitalet e zonës. Shefi i spitalit Slavonski Brod, Josip Samardzis tha se tetë persona kishin lëndime të rënda.
Ministri i Shëndetësisë, Vili Baros, ka deklaruar se në autobus ishin 15 të mitur dhe se një vajzë është lënduar rëndë.
Përplasja e autobusit ndodhi rreth orës 6 të mëngjesit, afër qytetit Slavonski Brod në autostradën midis kryeqytetit Zagreb, dhe kufirit serb.