Shumica dërmuese e të hospitalizuarve nga infektimi me COVID-19 në vend janë të pavaksinuar. Rreth 90 për qind e rreth 1300 pacientëve që aktualisht po trajtohen nëpër spitalet dhe klinikat COVID-19 janë të pavaksinuar, ka bërë të ditur, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, duke shtuar se kjo është dëshmia më e mirë përse është i domosdoshëm vaksinimi.
Situatën nëpër spitale e klinika, Krasniqi e ka cilësuar shumë të rënduar.
“Me rreth 1300 pacientë dje që patëm ka qenë numri më i lartë që kemi pasur ndonjëherë në nivel të vendit. Në fund të nëntorit vitin e kaluar patëm 1000 pacientë. Ajo që po e karakterizon është se pjesa më e madhe e pacientëve po kanë nevojë për oksigjenoterapi. Pra mbi 1300 janë mbi 1100 me oksigjenoterapi e 60 në gjendje të rëndë kritike”, ka thënë ai në emisionin SOT në KTV duke shtuar se në spitale rajonale po ka raste kur dhomat e personelit po shndërrohen në dhoma për pacientë.
Ai ka shtuar se qytetarët duhet të kuptojnë se “po arrijmë të organizojmë shtretër aq pacientë sa po vijmë, por ne s’mund të garojmë me virusin”.
“Ne e kemi të vështirë të gjejmë shtretër aq sa infektohemi. Andaj duhet ta ndalim virusin, me vaksina e masa. Numri i madh i të infektuarve brenda një periudhe të shkurtër kohore është problemi më i madh që po na vështirëson punën. Ajo që vërehet është edhe një karakteristikë tjetër që pacientët me një apo dy dozë të vaksinës shanset për ta kaluar më lehtë infektimin po janë shumë më të mëdha. 1300 pacientë, vetëm 150 prej tyre janë me një ose dy doza të vaksinës. 90 për qind janë të pavaksinuar. Deri të arrihet imunizimi i plotë duhet të respektojmë patjetër masat antipandemike”, ka apeluar ai.
Krasniqi ka thënë se institucionet shëndetësore duke parë trendin e lartë të pacientëve që po kërkojnë oksigjen janë të shqetësuar edhe në këtë aspekt, edhe pse ka shtuar se aktualisht janë të furnizuar mirë me barna e oksigjen.